: Shqipe Sylejmani
: Barrë dhe Bekim
: Books on Demand
: 9783752617986
: 1
: CHF 6.40
:
: Gegenwartsliteratur (ab 1945)
: Albanian
: 308
: Wasserzeichen
: PC/MAC/eReader/Tablet
: ePUB
Das Buch"Burden and Blessing - A Tale of Two Worlds" wird bereits über BOD angeboten. Nun ist die albanische Übersetzung des Buches erhältlich. Shota jeton në Zvicër dhe ka gjithçka që të afërmit e saj në Kosovë e kanë dëshiruar në jetë: lirinë, mundësitë dhe ambiciet. Megjithatë, që nga fëmijëria, ajo ndjen se diçka i mungon. Pasi i vdes gjyshja dhe i lë një fletore ku përmenden destinacione të ndryshme në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe në Maqedoninë Veriore, Shota vendos të udhëtojë në këto vende për të qartësuar rrugëtimin e saj jetësor. Në këtë udhëtim, ajo gjen jo vetëm rrëfime të vjetra, përralla dhe mite, por edhe miq të rinj, dashurinë dhe veten e saj.

Shqipe Sylejmani ka lindur në vitin 1988 në Prishtinë, Kosovë. Ajo jeton në Zvicër që prej moshës katër vjeçare. Ka studiuar gazetari dhe komunikim në Cyrih dhe ka punuar si gazetare, ndër të tjera, edhe në Zvicër dhe Nju Jork. Që nga viti 2018, ajo është e angazhuar në fushën e promovimit kulturor dhe është kryetare e shoqatës'Kulturwerkstatt Techno'. Romani'Barrë& Bekim', vepra e saj debutuese, sjell përvojën e saj të migrimit dhe udhëtimet e saj në atdhe.

1


Në kopshtin e gjyshes sime kanë çelur të gjitha lulet, të ngrohura nga dielli rrezatues pranveror i mëngjesit. Gjyshja i kishte hedhur farat dy vite më parë dhe tani, ato kanë lulëzuar dhe janë shndërruar në një qilim jashtëzakonisht të bukur lulesh. Këto lule janë një nga trashëgimitë e Gjyshës, që ajo na ka lënë pas vdekjes vitin e kaluar.

Viti i kaluar... Sa shpejt ikën koha! E ulur në shkallët prej druri që çojnë drejt kopshtit të madh, me shtëpinë tonë prapa shpinës dhe diellin që më shkëlqen mbi fytyrë, kam në dorë një fletore dhe po shijoj cicërimën e zogjve, duke dëshiruar me gjithë zemër që Gjyshja të ishte aty me mua.

Nëse do të ishte këtu, me gjasë që më shumë do të më bezdiste me pyetjet e saj në vend se të shijonte paqen dhe qetësinë. Mirëpo këshillat e saj të përhershme, të dhëna me dashuri, sikur këshilla se si do të duhej të ishte bashkëshorti im i ardhshëm, ishin më shumë inkurajuese se sa bezdisëse. Çdo fjalë e saj sikur donte të ma përkujtonte vlerën time të vërtetë.

“Gjej dikë që të përshtatet, as më të mirë dhe as më të keq” thoshte ajo. Atë që më mungonte duhej ta gjeja te dikush tjetër. Kështu, ne do të plotësonim njëri-tjetrin. Me kalimin e kohës, ky përkufizim i marrëdhënies ishte bërë i vetmi që unë isha e gatshme ta merrja parasysh.

* * *

U zgjova herët në mëngjes, nga ankthi që më mundonte. Familja ime ishte ende në gjumë. Isha gati të nisesha për rrugëtim. Në Kosovë kisha mbërritur një ditë më parë dhe menjëherë isha vendosur në shtëpinë tonë në lagjen Veternik të Prishtinës, që të pushoja pak, para se të vazhdoja për në Shqipëri.

Gjithmonë e kisha menduar Shqipërinë si një vend magjik. Më tërhiqte historia dhe letërsia e saj dhe rrënjët tona kulturore. Por asnjëherë nuk kisha pasur guximin ta eksploroja. Kisha ndrydhur dëshirën time për të zbuluar rrënjët e mia, sepse e tashmja më magjepste më shumë se e kaluara.

Kur mendimet nisën të më tërhiqnin drejt Shqipërisë, sakaq u shfaqën destinacione të tjera. Udhëtova nëpër Evropë, u magjepsa nga Nju Jorku, zbulova tërë bregun lindor të Amerikës së Veriut. Në Amerikën e Jugut dhe në Afrikë mblodha përshtypje të kulturave vendase, ashtu si mblidhen fotografitë në një album. Dhe Shqipëria u harrua.

Në çdo cep të botës, kërkoja diçka që të më jepte ndjesinë e lirisë, paqes dhe plotësimit. Ajo kënaqësi ishte gjithmonë jetëshkurtër. Sapo i kthehesha jetës sime të përditshme, një zbrazëtirë e vogël dhe shqetësuese niste të zmadhohej brenda meje dhe të më kaplonte të tërën.

Nuk mund ta ndaja këtë ndjesi me askë, sepse askush nuk më kuptonte. Mundohesha që zbrazëtirën brenda vetes ta mbushja me dashurinë time për familjen, miqtë dhe të tjerët me të cilët isha në lidhje, por përkushtimi im u bë i tepërt për ta. Unë u bëra e tepërt për ta.

Edhe kur, me një guxim të pashoq, i ndaja këto mendime me dikë, ata më përgjigjeshin se dëshira ime për përmbushje ishte thjesht një mani rinore, një fazë që do të më kalonte. Aludonin se po marrosesha, më thonin se po kërkoja diçka që nuk ekzistonte dhe se duhej të përshtatesha me ritmin e jetës si gjithë të tjerët.

Të gjithë pajtoheshin në një pikë: unë prisja shumë nga kjo jetë.

Sipas tyre, jeta ishte një seri ngjarjesh, një lloj shkalle që secili duhej ta ngjiste, hap pas hapi: arsimimi, puna, martesa, fëmijët dhe në fund vdekja.

Kisha nisur të mësohesha të hesht për këtë temë. Të pohoja duke e tundur kokën dhe të buzëqeshja si përgjigje. Këtu dështonin argumentet e mia. Zëri im, zakonisht i lartë dhe thumbues, në ato çaste venitej.

* * *

Banorët e parë të lagjes ishin zgjuar dhe po bëheshin gati për në punë. Ata e kishin arritur me shumë mund atë që kishin: shtëpinë e madhe, kopshtin e bukur dhe ca kursime për pushimet e tyre të përvitshme buzë detit. Ata ishin të kënaqur.

Një fqinj i moshuar kaloi pranë shtëpisë sonë, duke ecur rrugës së tij nëpër fshat. Më pa të ulur tek shkallët që çonin nga shtëpia në kopsht, duke shkruar në fletoren time, duke fshirë lotët nga fytyra.

Të huaj të çmendur” mund të ketë menduar ai, duke e parë këtë vajzë nga Zvicra e pasur.

Kanë çdo gjë që dëshirojnë dhe prapë nuk janë të lumtur”.

Ai kaloi pranë pemëve të thara të mollës dhe kumbullës të familjes sime dhe skaj arës së madhe ku ishin rritur misri, qepët, patatet dhe pemët frutore. Në vjeshtë, gjyshi kishte vjelë kungujt dhe kumbullat dhe u kishte dhënë të gjithë fqinjëve pite ose reçel të bërë nga gjyshja ime. Tani, gjithçka dukej e braktisur.

Fqinji tundi kokën teksa më shikonte të thelluar në mendime. Njoha shikimin që ma dha, i cili thoshte:

Nëse atëherë do të kisha pasur kohë për t’u ulur, për të shkruar dhe për t’u thelluar në mendime... aii! Nuk do të kisha arritur asgjë! Kam qenë i pjekur dhe e kam kuptuar se një jetë e rehatshme është e mundur vetëm me punë!”

Ai ishte si shumë të tjerë që njihja: i vetëkënaqur se kishte marrë vendimet e duhura në jetë. Sakaq, ai vazhdoi rrugës së tij. Ishte mësuar ta shpërfillte dhimbjen që i sëmbonte në zemër kur i binin ndërmend ëndrrat e tij dhe pas gjithë kësaj kohe, tashmë mezi e ndjente.

* * *

Dëgjova çelësin që u soll në portën e vjetër dhe para syve u shfaq gjyshi im. Ai eci ngadalë drejt ballkonit dhe mbathi sandalet e tij ngjyrë kafe. Mbi këmishë kishte veshur një triko që ia kishte thurur gjyshja ime dhe që ai e vishte shumë shpesh. Baba, si e thërrisja unë gjyshin tim, ishte 81 vjeç dhe njëri nga heronjtë e mi. Vitet e fundit ai ishte plakur shumë, veçanërisht që nga vdekja e gruas së tij. Ai i zbriti shkallët dhe më thirri që t’i afrohesha, pastaj u ul dhe mbylli sytë, me fytyrë nga dielli duke shijuar freskinë e mëngjesit.

- Mirëmëngjesi, vogëlushe,- më përshëndeti zëri i tij i ngjirur.

- Çfarë po bën këtu jashtë kaq herët?

- Mirëmëngjesi, Babë! Mos u bëj merak për mua. A nuk duhej të flije pak më gjatë?,- iu përgjigja unë teksa renda drejt tij për ta përqafuar. Duke e mbajtur shtrënguar, ndjeva duart e tij kockore dhe m’u kujtua se sa i fortë kishte qenë dikur. Pas vdekjes së gjyshes, ai ishte dorëzuar dhe dukej qartë se e kishte braktisur jetën. Hante shumë pak, pinte duhan çdo herë e më shumë sikur po përgatitej të hiqte dorë përfundimisht nga jeta.

- Oh, vogëlushe, në moshën time je i lumtur nëse mund të ngrihesh vet në mëngjes dhe ta kalosh ditën pa dhimbje. E vërtetë, ka kohë që dëshiroj të iki, kam jetuar mjaft gjatë,-tha ai me një buzëqeshje të lodhur.

- Babë, të lutem mos fol ashtu. Ti do të jetosh shumë gjatë. Duhet të qëndrosh i fortë, së paku deri sa të martohem unë, - iu...